Shkolla Raqi Qirinxhi

Informacion

Veprimtaria e shkollës mbështetet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në RSH, në Dispozitat Normative dhe të gjithave udhëzimeve në mbështetje të funksionimit të këtyre dispozitave për mbarëvajtjen e gjithë procesit të mësimnxënies, të mësimdhënies, edukativ, në rregullimin e të gjitha marrëdhënieve dhe veprimtarive, brenda dhe jashtë shkollës, bazuar në Rregulloren e Brendshme të shkollës dhe manualin e udhëzimev e për funksionimin e shkollës si Qendër Komunitare. Shkolla gjatë këtij viti mësimor do të funksionojë mbi një rregullore të re, të bazuar në një kontekst të ri, ku shkolla do të përfshihet në “Shkollën si Qendër Komunitare”, për një shtrirje më të gjerë dhe gjithpërfshirëse si në aspektin e zbatimit të kurrikulës, ashtu dhe në aktivitetet kurrikulare dhe ekstarkurrikulare. Prindërit do të jenë pjesë e shumë nismave dhe programeve të ndryshme që do të ndërmarrë shkolla. Duke u bazuar në disa problematika të shkollës, ne kemi korrektuar dhe përfshirë në rregulloren e re të brendshme, bashkëpunimin me prindërit në objektivin e uljes së ndjeshme të mungesave paarsye, pastrimin e mjediseve njëherë në javë nga nxënësit si dhe zbatimin e një praktike të re, të takimit me prindër, ditët e hapura me ta, përfshirjen në aktivitete sportive e artistike, tematikë të të gjithe aktoreve te shkollës, për një ndryshim rrënjësor të cilësisë së mësimit e edukimit.

Për përvoja nxitëse dhe këmbim informacioni kemi bashkëpunime me shkolla analoge brenda vendit, siç është gjimnazi « Petro Nini Luarasi » dhe binjakëzime me shkolla jashtë vendit (Francë), si dhe zhvillimi i veprimtarive të përbashkëta me përfitim reciprok.

Në përvojën tonë ekziston një bashkëpunim i frytshëm i shkollave në kuadër të projekteve të edukimit, që janë mbështetur në harkun kohor 1994 e deri më sot nga institucione të tilla jofitimprurëse, si Fondacioni “Sorros”, UNICEF-i,”Save the Children”, “Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut”, “Qendra për Edukim Demokratik”, “Zhvillimi i edukimit”, REC-i, Fondacioni “Për Zgjidhje Konfliktesh e Ndërmjetësim”,“Kryqi i Kuq”, “Shis”, si dhe mjaft organizata të huaja, si USAID-i, PNUD-i etj. Nuk përjashtohen këtu dhe mjaft organizata të tjera si insituti Italian i Kulturës, Ambasada dhe Aleanca Franceze por dhe partneritete jashtë vendit.

Struktura

Shkolla ka një strukturë të plotë organizative si Bordi i shkollës, Qeveria e Nxënësve (Senati), Këshilli i prindërve të klasës dhe Këshilli i Prindërve të Shkollës, Këshilli i Mësuesve si dhe Komisionet e Posaçme të fushës së edukimit, disiplinës, sportit, mbarëvajtjes së aktiviteteve në shkollë e jashtë saj, komisione në fushën e vetëvlerësimit të shkollës, të arritjeve etj.

Të gjithë këto struktura kanë detyra të përcaktuara në Dispozita Normative të Arsimit Parauniversitar. Roli i tyre është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në marrjen e përgjegjësive dhe funksionimin e gjithë procesit në shkollë. Më e rëndësishme në gjithë këtë strukturë të shkollës, është koordinimi i detyrave të tyre dhe varësia ndaj njëra-tjetrës, për të qenë realisht hallka të një zinxhiri që mban në lartësinë e duhur këtë institucion.

Qeveria e nxënësve mbetet struktura më interesante e një shkolle demokratike, që fillon me zgjedhjen e senatorëve, të cilët janë përfaqësues të denjë të interesave të nxënësve dhe ndërmjetës të zgjidhjeve të problemeve të tyre. Ata janë bashkëpunëtore shumë të mirë me klasën e tyre, por dhe me Këshillin e Mësuesve dhe me Drejtorinë e Shkollës.

Është rritur roli i mësuesit jo vetëm si mësimdhënës, por dhe si kreativ përmes projekteve lëndore me qëllim trajnimin e nxënësve për t`u aftësuar të punojnë në grup, duke nxitur mendimin kritik e krijues.

Stafi ynë
Pjesëtarët e stafit tonë përgjithësisht janë përzgjedhur në lëndë te veçanta për përgatitjen e tyre profesionale e përvojen e tyre në mësimdhënie në nivelin e arsimit të mesëm. Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” japin mësim 38 mësues nga të cilët 25 femra e 13 meshkuj. Të gjithë mësuesit zhvillojnë mësim në përputhje me diplomat e tyre.

Aktivitete Rinore dhe Komuniteti

Aktivitete Rinore
Nxënësit angazhohen dhe trajnohen për t`u bërë pjesëmarrës të dalluar në diskutimet e mësimdhënies dhe publike. Nxënësit fillojnë të jenë pjesëmarrës në diskutimin mbi kurrikulën, duke qenë tërësisht të përfshirë e duke u aftësuar të vetëvlerësojnë aftësitë e tyre në përzgjedhjen e lëndëve.

Gjatë aktiviteteve rinore nxënësit aftësohen të operojnë me librin, katalogizim, indeksim dhe mirëmbajtjen, përmes përdorimit të programit komjuterik. Gjithashtu nxënësit trajnohen të përdorin site të ndryshme burimore historike, të papunuara në hapsirën shkollore, duke u angazhuar në punë kërkimore në internet. Trajnohen të ndërtojnë projekte, të krijojnë spote publicitare, të dizenjojnë ato me anë të teknikave që ofron teknologjia e përparuar, si dhe përdorimin e teknikave jashtëgjuhësore.

Nxënësit trajnohen të debatojnë tema të ndryshme në gjuhë të huaja, në formate bashkëkohore, pro dhe kundër. Trajnohen të bëjnë panaire me punime të krijuara nga vete ata, të bëjnë vepra bamirësie me çdo shitje apo të ardhura të përfituara nga shitja e punëve të tyre.

Trajnohen të realizojnë punë kërkimore në gjuhë të huaj, të adaptojnë stilin e tyre të jetesës me zhvillimet e fundit të teknologjisë, por dhe të hartojnë një raport të punës së bërë. Trajnohen të zhvillojnë sondazhe, anketa për çështje të forta, ato të shoqërisë apo të të rinjve, duke analizuar të dhëna dhe përdorur metoda sociologjike.

Trajnohen të ndërtojnë praktikisht një serë lulesh e bimësh, të kujdesen për to në mjediset e shkollës. Trajnohen e aftësohen të krijojnë vetë mjetet shkollore që mungojnë në lëndën e matematikës, si trupa gjeometrike. Aftësohen të punojnë në grup për të nderuar histograme për studimin e notave të provimeve, krahasuar në dy gjimnaze.

Komuniteti
Komuniteti luan rol parësor përmes dy strukturave, Bordit të Shkollës dhe Këshillit të prindërve, në përbërje të të cilëve ka prindër, nxënës, mësues, të cilë luajnë rol në diskutimin e aspekteve kurrikulare, aspekteve të mësimit, në procesin edukativ. Prindërit kanë marrë pjesë në diskutimin e një formati të ri të kontratës së bashkëpunimit me shkollën dhe pas diskutimit të gjithë e kanë firmosur atë duke marrë përsipër ta respektojnë. Kanë marrë pjesë në diskutimin e një formati të ri të takimit me prindër, që sjell risi në trajtimin e problemeve të klasës, por dhe të trajtimit të nevojave individuale të nxënësit e mësuesit, duke respektuar privatësinë e individit.

Prindërit janë pjesë e daktorësisë lidhur me rregulloren e re të shkollës, duke e respektuar atë në funksion të nxënësit, familjes, shkollës dhe komunitetit.

Go to top of page