Shkolla “Raqi Qirinxhi “– DITËT E HAPURA

Shkolla “Raqi Qirinxhi “– DITËT E HAPURA

Shkolla “Raqi Qirinxhi “– DITËT E HAPURA

Në datën 5 mars 2016, u zhvillua në mjediset e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”- Korçë, aktiviteti “DITËT E HAPURA”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte krijimi i një ambienti miqësor dhe të hapur për të gjithë komunitetin rrethues, duke e kthyer shkollën në një institucion në shërbim të plotë të komunitetit. Nëpërmjet “DITËVE TË HAPURA”, shkolla komunitare synon krijimin e një qasje të re inovative ku partneriteti shkollë-familje-komunitet ndërvepron për të krijuar një kulturë, një filozofi, një politikë dhe një praktikë të re në mbështetje të shkollës gjithëpërfshirëse dhe të hapur për komunitetin.

Shkolla “Raqi Qirinxhi “– DITËT E HAPURA

Aktiviteti “DITËT E HAPURA” i zhvilluar në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” nis krijimin e një tradite të shkollës si qendër komunitare, e cila jetëson misionin e saj, duke u kthyer në qendër reale e organizimit të aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë dhe ofrimit të shërbimeve komunitare.

Organizatorë të këtij aktiviteti ishin drejtoresha e gjimnazit znj. K. Qirinxhi, dhe mësuesit: znj. T. Ndini, znj. O. Mele e z. R. Naco. “DITËT E HAPURA” u mbështet nga projekti IADSA - “Shkolla Qendër Komunitare”, Universiteti “Marin Barleti”, dhe nga të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollës “Raqi Qirinxhi”, ndërsa si bashkëpunëtorë të jashtëm ishin nxënës nga shkolla e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” dhe prindër të përzgjedhur për të trajnuar nxënësit në tema të ndryshme.

Aktivitetin e hapi drejtoresha e gjimnazit znj. Keti Qirinxhi, e cila përshëndeti me një fjalim të gjithë pjesëmarrësit, duke e konsideruar aktivitetin “DITËT E HAPURA” një risi dhe mundësi të mirë bashkëpunimi midis shkollës-familjes-komunitetit dhe një praktikë e re e në mbështetje të shkollës gjithëpërfshirëse dhe të hapur për komunitetin.

Në hollin e katit të parë, prindërit të grupuar dhe të orientuar nga dy mësues të shkollës, ndiqnin një guidë prej 16 nxënësish të veshur me uniformë, për t’i njohur ata me mjediset dhe punën e shkollës. Prindërit panë nga afër mjediset e ndryshme që ofron gjimnazi “Raqi Qirinxhi” si: muzeun e shkollës, bibliotekën, klasat inteligjente etj. Ata shfaqën interes për të njohur të gjitha mjediset e shkollës, për historinë e saj, pajisjet dixhitale dhe metodat e reja të mësimdhënies.

Gjatë “DITËVE TË HAPURA” në mjedise të ndryshme të shkollës u zhvilluan seminare dhe trajnime me nxënës, pjesë e të cilave ishin vetë prindërit, të cilët trajnuan nxënësit në lidhje me tematika të tilla si: “Sipërmarrja dhe bizneset e reja”, “Gjithëpërfshirja dhe nxënësit me aftësi të kufizuara”, “Epidemiologjia” dhe “Receta gatimi të thjeshta dhe të shijshme”, “TIK – ora mësimore me tablet”.

Një tjetër aktivitet që u organizua midis nxënësve, prindërve dhe fëmijë të komunitetit ishin ndeshja e futbollit, e volejbollit dhe e tenisit.

Në kuadër të aktivitetit “DITËT E HAPURA”, disa vajza përfaqësuese të klubit të kreativitetit kishin aplikuar në faqet e murit të klasave specifike një sërë pikturash murale, ku faqja e murit u përdor prej tyre si fletë vizatimi, në të cilën shfaqen një pjesë të imagjinatës së tyre. Vizatimet u pëlqyen dhe u vlerësuan nga të gjithe pjesëmarrësit.

Midis aktivitete të zhvilluara gjatë “DITËVE TË HAPURA”, nuk mungoi dhe prezantimi i Kartës Rinore Evropiane. Në fund të takimit, në orën 12:00, u ndanë Certifikata për nxënësit e shkollës, fitues të olimpiadave të ndryshme në rreth, duke i falënderuar në prezencë të të pranishmëve për përfaqësimin dinjitoz të shkollës. U falenderua dhe ish-nxënësja M. Hasani për fondin e librave të mbledhur, i cili iu dhurua bibliotekës së shkollës.

Pas përfundimit të itinerarit, prindërit lanë përshtypjet e tyre në librin e përshtypjeve dhe u bënë pjesë e kokteilit në një takim miqësor me mësuesit. Në hollin e katit të parë të shkollës, në bashkëpunim dhe me shkollën e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” ishte përgatitur një bufe, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore për prindërit.

Go to top of page