Shkolla Raqi Qirinxhi

Rreth Shkollës

Gjimnazi publik “Raqi Qirinxhi”, Korçë është hapur në vitin 1917 dhe tashmë ka krijuar fizionominë e tij si një nga shkollat më të suksesshme jo vetëm në rrethin e Korçës, por dhe më gjerë, për arritjet e sotme dhe si vazhdim i Liceut Francez me vlerat e një historie kombëtare. Shkolla mban emrin e Dëshmorit të Atdheut dhe Mësuesit të Popullit Raqi Qirinxhi, që nga viti 1945 dhe ndodhet në rrugën “Pano Xhamballo” të qytetit të Korçës.

Shkolla ka marrë vlerësime në vite si, “Hero i punës”, “Pishtar i Demokracisë”, çmimin “Për rezultate të shkëlqyera në Maturën Shtetërore” në vitin 2006 apo “Shkolla më e mirë në rreth” në vitin 2008. Ky gjimnaz ka dimensionet e një gjimnazi bashkëkohor në formë e në përmbajtje, si dhe ka vizione të qarta për të ardhmen, për sfidat që e presin, për misionin, besimin si elemente të rëndësishëm të kësaj shkolle.

Shkolla vazhdon të ruajë traditën e Liceut Francez, duke zhvilluar me sukses mësimdhënien e mësimnxënien në seksionin dygjuhësh shqip-frëngjisht, përmes bashkëpunimit të suksesshëm me Ambasadën Franceze në Shqipëri dhe Aleancën Franceze.

Misioni dhe Organizimi

Përkushtimi për të siguruar një mjedis edukues dhe të sigurtë, që do t’i rrisë dhe do t’i zhvillojë nxënësit me një personalitet të spikatur, edukimi i nxënësve me aftësi për të nxënë gjatë gjithë jetës, dhe të përgatisë qytetarë të përgjegjshëm, për të përballuar të jetuarit në një shoqëri demokratike.

Objektivat:

  1. Mekanizma të qarta dhe transparentë në zgjedhjen e kurrikulës
  2. Disiplinimi i mungesave në shkollë me apo pa arsye
  3. Gjithpërfshirje e komunitetit në veprimtaritë e shkollës
  4. Përfshirja e organizmave të shkollës e nxënësve në zgjidhjen e problemeve në komunitet
  5. Arritje të rezultateve të larta në maturën shtetërore
  6. Puna në ekip dhe vendimmarrje për çdo aspekt të shkollës

Infrastruktura

Shkolla “Raqi Qirinxhi është ndërtuar në vitin 1970 dhe u rikonstruktua në vitin 2011. Ka një sipërfaqe prej 2.4 ha përfshirë dhe terrenin sportiv. Shkolla ka 22 klasa mësimore, 18 klasa me mesatarisht 36-37 nxënës për klasë. Në vitin shkollor 2015-2016 shkolla ka 18 klasa, 6 klasa të X-ta, 6 klasa të XI-ta dhe 6 klasa XII-ta. Gjithsej shkolla ka të regjistruar për këtë vit shkollor 621 nxënës, 369 femra dhe 252 meshkuj.

Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” japin mësim 38 mësues nga të cilët 25 femra e 13 meshkuj. Të gjithë mësuesit zhvillojnë mësim në përputhje me diplomat e tyre. Në shkollë funksionon biblioteka me një fond librash prej 8500, e cila është e dixhitalizuar dhe punohet vazhdimisht për pasurimin e saj. Një laborator fizike që mbulon 100% programin e kësaj lënde, një laborator TIK ku funksionojnë vetëm 14 kompjutera (pra një kompjuter për 47 nxënës ose çdo orë TIK një kompjuter për rreth 3 nxënës), një laborator kimie që mbulon jo më shumë se 15% të programit në kushte jo të mira, një kabinet biologjie, dy mjedise me tabela elektronike, një palestër, sallë force e me mjediset përkatëse (por pa bazën e nevojshme materiale), një sallë provimesh dhe takimesh jo shumë e përshtatshme si dhe muzeun e shkollës, por në të gjitha këto ambiente mungon sistemi i ngrohjes, si dhe mjetet e domosdoshme didaktike.

Go to top of page