Shkolla Andon Zako Cajupi

Rreth Shkollës

Gjimnazi “A. Z. Çajupi” është hapur në vitin 1959, në truallin ku ka qenë punishtja e familjes Qyqja. Në fillim kishte 62 mësues dhe 1348 nxënës. Gjimnazi “A. Z.Çajupi” ka qenë shkollë sportive me profil Atletik. Në vitin 1966, shkolla 8-vjeçare u nda nga shkolla e mesme. Rikonstruksioni i parë u bë në vitin 1999, në këtë vit stafi kishte 56 mësues dhe 1146 nxënës. Deri në vitin 2009 shkolla ka qënë me sistemin 4-vjeçar të studimeve, pas këtij viti, duke iu përshtatur reformës që iu bë në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri, kaloi në sistemin 3-vjeçar të studimeve. Drejtori i parë ka qenë Z. Sofokli Afezolli, figura të shquara që kanë studiuar në këtë gjimnaz: Z. Rexhep Mejdani (ish president i Republikës), Z. Maqo Laknori (ish ministër i Arsimit).

Misioni dhe Organizimi

Gjimnazi “A. Z. Çajupi” ka si qëllim rritjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve dhe zhvillimin e vazhdueshëm dhe trajnimeve që rrisin profesionalizmin tek mësuesit. Të përmirësojmë cilësinë e stafit të mësuesve duke përzgjedhur mësuesit e rinj në bazë të performancës së lartë të etikës dhe profesionit, dhe duke rritur përgjegjshmërinë, etikën dhe kulturën tek mësuesit.Të rrisim mbështetjen dhe qëndrueshmërinë financiare, duke siguruar mbështetjen e pushtetit vendor dhe bizneseve të ndryshme dhe përmirësimin e efikasitetin për rritjen e nivelin e shërbimeve. Të menaxhojmë me rigorozitet në përputhje me ligjin buxhetin e shkollës.

Objektivat:

  1. Të përmirësojmë arritjet e nxënësve
  2. Të përmirësojmë punën e mësuesve dhe rolin e tyre udhërrëfyes.
  3. Të zbatojmë kurrikul rigoroze dhe të përshtatshme në përputhje me rezultatet e deritanishme dhe në përputhje me synimet dhe zgjedhjet e nxënësve.
  4. Të rrisim angazhimin e nxënësve, në konkurse, olimpiada dhe aktivitete artistike, mjedisore, sportive etj.
  5. Të rrisim angazhimin e nxënësve, të prindërve dhe të komunitetit për përkrahjen e talenteve të reja.
  6. Të përmirësojmë punën me talentet e reja dukepunuar individualisht me nxënësit më të spikatur.
  7. Të nxitim te nxënësit dëshirën për karrierë dhe lidership.
  8. Të rrisim sigurinë dhe të krijojmë mjedis mbështetës për të mësuar

Infrastruktura

Gjimnazi “A. Z. Çajupi” është i pozicionuar në afërsi të qendrës së Tiranës dhe bën pjesë në njësinë bashkiake Nr. 3, me 43.270 banorë. Ndërtesa e shkollës përfaqësohet nga një godinë tre katëshe. Gjimnazi ka 34 mjedise që shërbejnë për zhvillimn e orëve mësimore me një sipërfaqe prej 748 m2, bibliotekën e shkollës, 2 laboratorë informatike, terrene sportive me një sip. Prej 1500 m2, 1 sallë aktivitetesh, 1 dhomë e qeverisë së nxënësve, 1 sallë mësuesish, 1 dhomë mjeku, 1 dhomë dentisti, 1 dhomë psikologu, 2 zyra nëndrejtorësh, 1 zyrë drejtori, 1 sekretari. Mësimi fillon në orën 08:00 – 14:00. Ora e mësimit zgjat 45 minuta, ndërmjet orëve ka 5 minuta pushim dhe pas orës së tretë një pushim prej 25 minutash.

Go to top of page