Shkolla 28 Nentori

Rreth Shkollës

Gjimnazi publik në Shkodër u hap me një vendim të Këshillit të Ministrave më 11 gusht 1922 ndonëse pa ndonjë ceremoni zyrtare. 37 nxënësit e parë bashkë me katër mësuesit e një nëndrejtor filluan mësimet në shkollën e parë laike të qytetit me pak banka të vjetra, dy tryeza dhe dy dërrasa të zeza në klasa, një tryezë në këshillin pedagogjik e një në drejtori ishin fare pak për këtë ngjarje të arsimit në Shkodër dhe më gjërë. Shtypi i kohës shkruante për hapjen e gjimnazit: “Gjimnazi është problem jetik për shtetin dhe shkodranët duhet të krenohen me të. Gjimnazi i shtetit është me të vërtetë insituti i mesëm që kemi për faqe të bardhë në jetën e re të teknikës arsimore”.

Drejtori i parë i gjimnazit ishte Dr. Xhevat Korça një figurë e njohur e arsimit në atë periudhë. Në këtë vit shkollor u hapën dy klasë një me 32 nxënës dhe dy me 5 nxënës. Gjimnazi kishte tre degë: reale, klasike dhe normale. Në vitin shkollor 1927 – 1928 në degën normale u zhvilluan për herë të parë provimet e maturës dhe në vitin shkollor 1928 – 1929 në degën reale dhe klasike u zhvilluan provimet e matures ku u diplomuan pesë kandidatë, në procesverbalin e mbylljes së vitit shkollor, ndërmjet të tjerave thuhej: “Për herë të parë bëhet në Shqipni, në gjuhën shqipe provimi i maturës.

Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë ky hap me cilin fillon indipendenca dhe në fushën arsimore të kombit shqiptar”. Në vitin 1933 u hap dega femërore e gjimnazit me nëndrejtore zj. Matilde Qarkaxhija, në vitin 1936 kjo degë u shkëput nga gjimnazi dhe doli si shkollë më vete por kjo iu ribashkua gjimnazit të shtetit më 1946.

Misioni dhe Organizimi

Gjimnazi “28 Nëntori” ka këtë qëllim shndërrimin e shkollës në vendin ku realizohet partneriteti shkollë, familje, dhe komunitet me fokus zhvillimin akademik, social, fizik dhe emocional të fëmijëve duke shfrytëzuar të gjitha burimet që ofron familja dhe komuniteti.

Shkolla jonë ka si synim të saj zhvillimin cilësorë të shkollës dhe aftësimin e të rinjve si qytetarë të gatshëm për të kontribuar në komunitetin ku jetojnë. Duke u fokusuar në mbështetjen e zhvillimit të të rinjve, në përmirësimin e arritjeve të tyre, mbështetjen e familjeve dhe zhvillimin e komunitetit.

Objektivat:

  1. Sigurimi i arsimit cilësor për të gjithë nxënësit e shkollës.
  2. Sigurimi i mirëqënies sociale, emocionale, shëndetësore të nxënësve.
  3. Angazhimi dhe zhvillimi i komunitetit.
  4. Vendimmarrja e përbashkët.
  5. Respektimi i diversitetit.
  6. Përdorimi i burimeve komunitare në shërbim të shkollës.

Infrastruktura

Gjimnazi “28 Nëntori” ndodhet në qendër të qytetit në një godinë historike që është restauruar për herë të fundit në vitin 2012. Me gjithë përmirësimin e kushteve të infrastrukturës hasen vështirësi në lidhje me numrin e kufizuar të ambienteve dhe madhësinë e tyre gjë që pengon në respektimin e hapësirës për çdo nxënës sipas standardeve. Gjendja e laboratoreve vazhdon të jetë ajo e viteve të kaluara. Është funksional laboratori i informatikës. Kemi bërë kërkesë për përmirësimin e bazës didaktike dhe janë prezantuar disa plan – projekte që shpresojmë të realizohen nga Qeveria Shqiptare pasi shkolla jonë është nën kujdestarinë e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, i cili ka marrë pjesë në prezantimet dinjitoze të plan - projekteve nga nxënësit gjatë vizitës së Tij në shkollën tonë.

Anë të forta

  • Mirëmbajtja e mirë që i bëhet shkollës dhe përpjekja për t’i bërë ambientet më funksionalë dhe më të këndshëm për zhvillimin e mësimit.
  • Higjena e mirë.
  • Ambiente sportive të bollshme.

Anë të dobëta

  • Klasa të vogla, ku nxënësit pavarësisht se jo të shumtë në numër, vazhdojnë të qëndrojnë përsëri 3 veta në një bangë.
  • Pamjaftueshmëri e bazës didaktike dhe laboratorike.
Go to top of page