“DITËT E HAPURA të Shkollës Qendër Komunitare” në shkollën “A. Z. Çajupi”

“DITËT E HAPURA të Shkollës Qendër Komunitare” në shkollën “A. Z. Çajupi”

“DITËT E HAPURA të Shkollës Qendër Komunitare” në shkollën “A. Z. Çajupi”

Me rastin e 150 vjetorit të lindjes të shkrimtarit dhe rilindasit të madh Andon Zako Çajupi, dhe duke dashur të nxisim gjithëpërfshirjen e komunitetit në dhënien e ideve dhe kontributit të tyre në realizimin e rolit të shkollës si qendër komunitare, shkolla “A. Z. Çajupi” organizoi aktivitetin me titull “DITËT E HAPURA të Shkollës Qendër Komunitare”.

Organizatorë të këtij aktiviteti ishin drejtoresha e gjimnazit znj. Margarita Shatro, mësuesja Eva Filolli, si dhe mësues e nxënës të gjimnazit. “DITËT E HAPURA” u mbështet nga projekti IADSA - “Shkolla Qendër Komunitare”, Universiteti “Marin Barleti”, dhe nga të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollës “A. Z. Çajupi”, ndërsa si bashkëpunëtorë të jashtëm ishin znj. Ergesta Nika, kryetare e minibashkisë nr. 3, përfaqësues të shoqatës “Zagoria” dhe prindër të përzgjedhur për të trajnuar nxënësit në tema të ndryshme.

“DITËT E HAPURA të Shkollës Qendër Komunitare” në shkollën “A. Z. Çajupi”

Aktivitetin e hapi drejtoresha e gjimnazit znj. Margarita Shatro, e cila përshëndeti me një fjalim të gjithë pjesëmarrësit, duke e konsideruar aktivitetin një risi dhe mundësi të mirë bashkëpunimi shkollë-familje-komunitet dhe në mbështetje të shkollës qendër komunitare dhe të hapur për komunitetin. Më pas Znj. Nika theksoi bashkëpunimin aktiv që minibashkia nr. 3 ka me shkollën “A. Z. Çajupi”, duke shfrytëzuar shpeshherë ambientet e kësaj shkolle për të zhvilluar mbledhje me anëtarët dhe komunitetin. Aktivitetin e përshëndeti edhe Znj. Edita Fino, si përfaqësuese e projektit IADSA shkolla qendër komunitare, ku theksoi faktin që përmes mbështetjes së projektit për shkollën “A. Z. Çajupi” si një nga shkollat target synohet krijimi i modeleve dhe praktikave të mira të shkollës qendër komunitare.

Në hollin e katit të parë, prindërit dhe të ftuarit të orientuar nga mësues të shkollës, ndoqën me shumë entuziazëm filmin e realizuar nga nxënësit mbi historikun e shkollës. Disa nxënës të gjimnazit recituan poezi të ndryshme të shkrimtarit Andon Zako Çajupi si, Vaje, Mëmëdheu etj., të cilët i emocionuan të gjithë pjesëmarrësit me talentin e tyre. Disa përfaqësues të shoqatës “Zagoria” folën mbi jetën e poetit dhe në shenjë mirënjohjeje i dhanë drejtoreshës së gjimnazit znj. M. Shatro një certifikatë.

Më pas intinerari vazhdoi me njohjen e mjediseve të ndryshme dhe me punën e shkollës. Ata panë nga afër mjediset e ndryshme që ofron gjimnazi “A. Z. Çajupi” si: mjediset sportive të shkollës, bibliotekën, klasat inteligjente etj. Ata shfaqën interes për të njohur të gjitha mjediset e shkollës, për historinë e saj, pajisjet dixhitale dhe metodat e reja të mësimdhënies.

Gjatë aktivitetit “DITËT E HAPURA” në mjedise të ndryshme të shkollës u zhvilluan trajnime me nxënës si “ Sipërmarrja Teknologjike”, orët e hapura si: Harta Sociale e Shkollës, Mbi marrëdhëniet Prind – Fëmijë – Mësues, Mbi jetën dhe veprën e A. Z. Çajupit, prezantimi i Qendrës Burimore, etj. Një tjetër aktivitet që u organizua midis nxënësve të gjimnazit dhe studentëve e Universitetit “Marin Barleti” ishte dhe ndeshja e futbollit dhe numri i aerobisë nga disa vajza të gjimnazit.

Në kuadër të aktivitetit “DITËT E HAPURA”, nxënës të gjimnazit kishin prezantuar dhe punime të krijuara nga vetë nxënësit, të cilat ishin pjesë nga projektet e tyre në lidhje me lëndë të ndryshme mësimore. Muret e shkallëve të katit të dytë të gjimnazit ishin mbushur me fotografi shumë të bukura të nxënësve të gjimnazit të veshur me kostume popullore shqiptare, që tregonin dëshirën e nxënësve për kulturën tonë. Ndërsa, në katin e dytë të gjimnazit pjesëmarrësit u njohën me disa vizatime dhe punime kreative të nxënësve.

Midis aktivitete të zhvilluara nuk mungoi dhe prezantimi i Kartës Rinore Evropiane nga përfaqësues të Youth Act. Pas përfundimit të itinerarit, prindërit shprehën përshtypjet e tyre në lidhje më aktivitetin dhe falenderuan organizatorët për realizimin e tij. Në oborrin e shkollës, ishte përgatitur një bufe, duke krijuar një atmosferë miqësore për prindërit dhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Go to top of page